Ilirjan Gjika

Disa hipoteza të reja për vendodhjen e qytetit

Deri në vitin 1985, kur pas monumentit të Pavarësisë u zbulua një trakt muri, ideja e shumicës së arkeologëve të huaj dhe shqiptarë ishte se Aulona antike ndodhej në rrënojat e lokalizuara në kepin e Treportit. Duke u bazuar tek ky gërmim dhe në objekte të tjera arkeologjike, që dolën në dritë më vonë, nisi të kristalizohet një tjetër ide, se: Aulona shtrihej aty ku ndodhej pikërisht Vlora e sotme, (pikërisht ajo e përpara 100 vjetëve). Ndërkohë që edhe objekti i këtij shkrimi të sotëm, do të jetë përsëri teza mbi vendodhjen dhe zhvillimet e Aulonës antike.

Qyteti i Vlorës së sotme është ngritur gjatë periudhës së pushtimit romak dhe ka trashëguar vetëm emrin e Aulonës antike, e cila sipas të gjitha gjasave shtrihej aty ku sot ndodhet Kepi i Triportit. I pari autor që e hodhi këtë ide ishte Profesori i Universitetit të Vjenës Karl Paçi, i cili e vizitoi këtë qytet në vitin 1902. Në të njëjtën mënyrë u shpreh edhe Italiani Luixhi Ugolini në vitin 1928, për tu pasuar nga arkeologu Anglez Nigel Hamond në vitin 1931. Kështu themelet e disa ndërtesave, traktet e mureve dhe qeramikat e shpërndara ju nënshtruan në vitin 1975 gërmimeve të para arkeologjike. Në saj të tyre u përcaktua se Aulona u ngrit si vendbanim në periudhën paraqytetare diku në shekujt XI-X p.k, mbi shpinën e kodrës së parë të Treportit, në një lartësi prej 82 m. I mbështetur mbi këtë kodër qyteti u shtri drejt ultësirës, në drejtim të lindjes, duke zbritur mbi detin në jug. Zhvillimet ekonomike-shoqërore bënë që qyteti të rritet gradualisht dhe në mënyrë të natyrshme. Ky fakt vërtetohet edhe nga arkeologët, të cilët dëshmojnë se në shekujt VI-III-të p.k qyteti kaloi 3 faza fortifikimi (V.Bereti, vepër e cituar).
    Edhe sot mund të shihet struktura e një moli, i cili përbëhet nga një mur 650 m i gjatë, që shtrihet rreth 200 m brenda detit, duke krijuar një strukturë guri paralel me bregun, i cili del 2.5-3 m mbi suprinën e ujit. Ky fakt dëshmon ekzistencën e një Porti të madh, ku mund të ankoroheshin me dhjetra anije. Pranë këtij muri, që si ndërtim i përkiste shekujve të IV-III-të p.k, u gjend në vitin 1979 edhe karkasa e një anijeje të mbytur.
Por rëndësia e Aulonës do të rritet sidomos pas rënies së Apolonisë, kur në shumë itinerare romake udhëtimesh ajo do të merret si vazhdim i rrugës Egnatia gjatë shekujve III-IV-ët. Si e tillë ajo ndeshet tek Tabula Peuntigeriana, itinerari i Antonin Augustit dhe itinerari I Burdigalës.
    Ndërkohë që është Ptolemeu, nga autorët antike i cili në librin e tij Gjeografia në shek. e II-të, na jep të dhënat më të plota mbi Aulonën, si qytet-skelë me koordinata gjeografike 44o45'.

Duke pranuar faktin se Aulona antike ndodhej në Treportin e sotëm mund të ngremë hipotezën se edhe ajo u shkatërrua nga tërmeti i shekullit të II-të, i cili sipas burimeve antike shkatërroi plotësisht Orikun, që ndodhej vetëm 19 km në jug të saj. Pak më vonë këtë fat të keq do ta pësojnë të gjitha qytetet e bregdetit në shekujt III-IV, ku për Apoloninë fqinje pasojat do të jenë po aq fatale sa dhe Oriku. Atëherë përse të mos besojmë se edhe Aulona e vjetër (Treporti) nuk e mori më veten dhe banorët e saj u vendosën disa km më në juglindje, duke themeluar një vendbanim me emrin e vjetër, Aulon (megjithëse jeta këtu në Treport mund të ketë vazhduar rreth një vendbanimi të parëndësishëm). Pikërisht qyteti u ngrit përsëri sipas modelit të mëparshëm në shpinë të kodrave, buzë bregut, por tashmë jo me "fytyrë" nga lindja si në Treport, por me shtrirje nga perëndimi. Me shkatërrimin e Apolonisë dhe fillimin e rënies, një pjesë e banorëve të saj u zhvendosën në Aulonë (sipas Shuflait), e cila e rrit rëndësinë tashmë si pikënisje e degës jugore të rrugës Egnatia dhe qëndër Peshkopale. Pikërisht këtë ide mendoj se e përforcojnë edhe materialet e pasura, të gjetura në Vlorë këto 20 vitet e fundit (1985-2006), të cilat i përkasin periudhës nga shekulli i II-të e deri në periudhën Bizantine. Ndërkohë që mund të themi se Aulona e re u ngrit mbi një vendbanim të hapur rural, gjë që dëshmohet edhe nga gërmadhat e disa vilave (rustika), si dhe të një varreze.
    Megjithatë nuk përjashtojmë faktin se rifillimi i jetës në qytetin e ri mund të jetë bërë ose në shekullin e II-të ose të III-të, ku kjo zhvendosje ka bërë që mos merret shumë në konsideratë nga autorët antikë, të cilët nuk japin asnjë të dhënë në këtë pikë.
    Edhe qyteti i ri u përfshi në pushtimet barbare dhe mbase i ka shpëtuar shkatërrimit prej tyre, sepse duke qënë pika më e afërt me Italinë është shfrytëzuar nga Gotët për të zbarkuar aty. Këtu përfundojmë hipotezën e parë për të ndërtuar tashmë një të dytë.
    Qyteti i ri i Aulonës u ngrit jo buzë bregut të sotëm të detit, por pikërisht buzë një lagune, e cila dikur niste aty ku ndodhet plazhi i vjetër dhe vazhdonte përgjatë anës perëndimore të rrugës transballkanike duke e futur disa kilometra në brendësi të tokës, tek stacioni i sotëm hekurrudhor, për të vazhduar ndoshta drejt Nartës. Ndoshta këtu në këtë lagunë derdhej dikur edhe lumi i Kelydnos (Shushica), i cili shekuj më vonë u bashkua me Vjosën ashtu siç ndodh edhe sot. Një fakt interesant mbi këtë ide na jep në vitin 1520 admirali turk Pir Reizi në librin e tij të detarit, (KITABI BAHRIJE), ku thotë se: "Aulona është një fshat i madh. Para saj shtrihet një lagunë e madhe dhe në brendësi të saj janë një sërë ishujsh të vegjël, secili me fshatin e tij. Sandallet (anijet) mund të hyjnë në lagunë nëpërmjet deltës së saj".
    Duke u bazuar këtu themi se: Aulona e antikitetit të vonë dhe Vlora si qytezë Bizantine, ndodhej në brigjet e një lagune që komunikonte me detin (gjirin e Vlorës) me një grykë të ngushtë. Këtë ide e plotëson dhe fakti se në dy zona të qytetit si: në Çole në vitin 1987 dhe në Varosh në vitin 2006 u gjendën skeletet e dy anijeve. Ndërkohë që të tjera të dhëna që na e plotësojnë këtë tezë janë edhe toponimet e qytetit, që i gjejmë në dokumentat e periudhës osmane, të cilat dëshmojnë se gjurmët e detit (lagunës) shkonin buzë qytetit. Kështu në Vlorë ndeshim emra të tillë vendesh si: bregu i Kasabasë, bregu i Kishës, (Lagja Varosh), bregu i vogël (Lagja Gazi Evrenoz), bregu i madh i Karabashit, i Xhedidit, i Muradies, i Tophanasë, bregu i Sefos, bregu i Ajazit (Karabash, Gazi Evrenoz, Muradie). Gjithashtu toponime të tjera të vlefshme në këtë pikë janë edhe ato si: kume (rërë), moçal (kënetë) dhe bogaz (grykë).
    Interesant është edhe toponimi BYJYK – DERE (P.Thëngjilli, Toponimia historike në krahinën e Vlorës), d.m.th "lumi i madh", që e ndeshim dikur në lagjen Gazi Evrenoz të qytetit. Kjo e dhënë na tregon se një lumë, ndoshta Shushica nuk derdhej në Vjosë por në këtë lagunë, gryka e të cilës diku rreth shekullit të XVII-XIII-të, u mbush dhe ajo u shndërrua në një kënetë, gjurmët e të cilës mund ti ndeshje deri përpara disa dekadash në pjesën perëndimore të qytetit, i cili nisi të zgjerohej në drejtim të skelës qysh atëherë.
    Ndoshta Sulltan Sulejmani e ndërtoi kështjellën e Vlorës (Skelës) 4 km larg qytetit në vitin 1537 me qëllim që të ruante hyrjen e kësaj lagune, e cila të çonte në Vlorë. Kjo gjë ndodhi për arsyen se pas kënetëzimit të gjirit të Orikumit dhe kthimit në lagunë, flota turke humbi bazën e Pasha Limanit dhe u vendos në Vlorë, e cila ishte një vend ideal jo vetëm si vendqëndrim i saj, por kishte edhe dy lëndët e para për ndërtimin e anijeve siç ishin druri dhe sera. Kështu Vlora do të jetë në vitet 1479 e deri në vitet 1550 baza e flotës turke për sulmet në Adriatik dhe Itali.
    Në vitin 1680 gjatë periudhës së okupacionit osman Vlorën e vizitoi nëpunësi perandorak Evlia Çelebi. Për të gjitha vendet e Perandorisë që shkeli me këmbë, ai la shënime me vlera historike, të cilat i përmblodhi tek vepra e tij SEJAHATNAME. Midis të dhënave të tjera që na jep për Vlorën, ky autor përshkruan edhe personelin e kalasë së saj, ku thotë midis të tjerave se në të shërbenin: 92 agallarë të artilerisë, 400 ushtarë, 1zv qehaja i spahinjve, 1 serdar jeniçerëve, 1 kadi, 1 pajtues për pazarin (tregun), 1 tagrambledhës i haraçit, 1 mbikqyrës i godinave shtetërore, 1 kryetar bashkie dhe 1 kapidan i limanit. Po ti referohesh të dhënës së fundit të Çelebiut, siç është: kapidani i limanit, del se, sipas fjalorit turk, liman do të thotë port dhe jo skelë, siç është quajtur pika e ankorimit të anijeve në Vlorë. Edhe sot në literaturën përkatëse si dhe në gjuhën popullore nuk ekziston termi port i Vlorës, por skela e Vlorës. Pavarësisht se apriori quhet porti i Vlorës, kjo pikë portuale nuk është port i mirëfilltë, por skelë që përbëhet nga dy bankina. Këtë gjë mund ta shohësh me sy të "rëndomtë" në çdo plan të qytetit të Vlorës. Atëherë Çelebiu del se nuk citon skelën në fjalë por portin (turqisht limanin ) e qytetit që nuk është skela e sotme e Vlorës, por është porti i dikurshëm i qytetit që ndodhej në lagunën, apo grykën e lumit (Shushica) që kalonte aty.
    Një mendim të ngjashëm rreth këtij problemi shfaqi përpara 80-vjetësh edhe Eqerem Bej Vlora, një nga njerëzit më të ditur të Shqipërisë. Në librin e tij "Kalaja e Kaninës dhe shkrime të tjera", ai pohon se bregu i detit midis viteve 1400-1500 ndodhej më i spostuar brenda tokës. Ndërkohë që laguna e Nartës nuk ekzistonte në formën e saj. Sipas Eqrem Beut ajo ishte një gji i madh, të cilin e ndanin nga deti disa ishuj ranorë. Më vonë me kalimin e kohës këta ishuj u lidhën me njeri-tjetrin me segmente litorale (rripa ranorë) duke krijuar lagunën e sotme të Nartës.

Debati shkencor për lokalizimin e Aulonës dhe Vlorës do të vazhdojë përsëri, por kjo hipotezë mendoj se do të shërbejë si ngacmim rreth këtij problemi. Le të shpresojmë që do të jenë historianët dhe veçanërisht arkeologët ata që do të thonë fjalën e fundit. Megjithatë nje tjetër ide imja është se ky problem mund të zgjidhet artificialisht dhe shumë thjesht edhe nga botimi i ndonjë harte mesjetare, e cila mund të "flejë" diku e harruar në ndonjë arkiv ose bibliotekë italiane, apo mesdhetare.