Ilirjan Gjika

Historia e lundrimit detar në gjirin e Vlorës nis që nga thellësia e shekujve. Njerëzit që jetonin pranë këtyre brigjeve duke u marrë me peshkim dhe lundrim shpesh ishin të detyruar të lëviznin në ujë.  Megjithëse materialet historike dhe arkeologjike janë të pakta, mund të themi se lundrimi nisi me mjete primitive. Kështu në bregdetin e Himarës që shtrihet vetëm disa kilometra jug të gjirit të Vlorës është përdorur si mjet lundrimi koshi i thurur me thupra dhe i veshur nga jashtë me lekura. Gjithashtu janë përdorur edhe barkat njëtrungëshe, të cilat pregatiteshin prej një trungu të madh të gdhendur nga brenda. Lundrimi në det me një barkë të tillë ishte i mundur vetëm në kohë të mirë dhe në rrugë të shkurtra. Gojëdhanat e vjetra dëshmojnë se me mjete të tilla në kohën e verës Himariotët lundronin gjatë bregut deri në Kepin e Gjuhëzës (Karaburun) dhe prej këndej drejtoheshin në det të hapur drejt Perëndimit, për në Portet e Italisë së Jugut.
    Pas një dite lundrimi me rrema ata kalonin Otranton (72 km) dhe mbërrinin në bregdetin e Apulias (Pulia-Itali). Gjatë udhëtimit ata orientoheshin me anë të diellit, yjeve dhe shënjave konvencionale që vinin në bashin e anijes. Në këtë mënyrë mbërrinin në Portin ose Skelën e dëshiruar.
    Interesant është zbulimi edhe i strukturës së një moli antik në Kepin e Triportit i përbërë nga një mur 650 m i gjatë i cili shtrihet edhe sot 200 m brenda detit duke krijuar një strukturë guri paralel me bregun, i cili del 2-3 m mbi suprinën e detit. Ky fakt tregon ekzistencën e një Porti të madh me të cilin në vitin 1979 u gjend edhe karkasa e një anijeje.

Gjiri i Vlorës mbart në vetvete kushte të shkëlqyera për strehimin dhe lundrimin e të gjitha mjeteve të lundrimit. Ai është gjiri më i madh i bregdetit shqiptar, që nis që nga Kepi i Plakës (Treport), vazhdon drejt jugut, duke krijuar formën e një krahu të hapur deri në gjirin e Shën Janit (Kepi në veri të Karaburunit). Në hyrje të tij gjendet ishulli i Sazanit me një largësi prej 17 km nga qyteti i Vlorës. Gjiri i Vlorës ka një gjatësi prej 19 km, gjerësi prej 9.5 km dhe thellësi 54 m. Pjesa perëndimore e tij që shtrihet përgjatë gadishullit të Karaburunit është e tipit abraziv dhe shkëmbor ndërsa pjesa lindore përbëhet nga një bregdet i ulët ranor, i paisur me një sërë plazhesh të mëdhenj e të vegjël. Ujërat e Adriatikut që përbëjnë këtë gji arrijnë temperatura që variojnë nga 13oC në stinën e ftohtë të dimrit e deri në 25oC në muajt e nxehtë të verës.
    Relievi i tij i mbart të gjitha format, duke nisur nga kurrizi i kodrave të Treportit, pasqyra e Lagunës së Nartës, Kodrat e Zvërnecit, gropa e Vlorës, kodrat rreth saj, kalaja e Kaninës, mali i Shashicës, mali i Lungarës, Llogoraja, për të vazhduar më tej me Rrëzën e Kanalit, luginën e Dukatit, Karaburunin duke e mbyllur unazën në Sazan, pikën më perëndimore të Shqipërisë.

Gjiri i Vlorës është përdorur dhe vazhdon të përdoret edhe sot si një vend me mundësi të shkëlqyera për strehimin e anijeve të tipeve të ndryshme. Në të funksionojnë gjithsej gjashtë Porte të gjithë specifik për nga përdorimi. Porti i Vlorës është Porti më i madh i Shqipërisë Jugore dhe i shërben të gjithë rajonit përreth, në transportin e mallrave dhe udhëtarëve.
    Për nga karakteristikat ai është një Port i hapur i përbërë nga dy mole kryesore, ku mbahen mjetet lundruese si: anije transporti dhe tragete. Nuk ka rryma të forta dhe zbatica që mund të ndikojnë në navigimin e mjeteve, prandaj ankorimi mund të bëhet edhe pranë tij jashtë sistemit të moleve.
    Në veri-perëndim të këtij porti ndodhet Porti i Zvërnecit, i cili shërben për ankorimin e anijeve të flotës Vlonjate të Peshkimit. Ndërsa në Jug të qytetit të Vlorës ndodhet Porti i vogël i Radhimës, i cili u shërben anijeve të vogla të transportit. Në pjesën më Jugore të gjirit, atje ku fillon Gadishulli i Karaburunit ndodhet Porti ushtarak i Pasha Limanit. i quajtur me këtë emër nga Marina turke në shekullin e XVI, ai u bë një bazë e madhe ushtarake e Traktatit të Varshavës në vitet e luftës së ftohtë. Aty Rusët investuan miliona dollarë për një periudhë disa vjeçare ajo u bë gati për ti shërbyer një skuadre detare të përbërë nga 12 nëndetëse dhe dhjetra anije të tjera ndihmëse. Sot ky port në kuadrin e marrëdhënieve të partneritetit me Naton është marrë nën kujdesin e marinës turke. Edhe Porti që ndodhet në Ishullin e Sazanit është përdorur për qëllime ushtarake. Sot ai përdoret nga Guardia di Finanza Italiane, për të patrulluar brigjet shqiptare, duke parandaluar trafiqet kriminale. Në Orikum ndodhet Porti më i ri i gjirit të Vlorës i cili është i vetmi Port Turistik i Jahteve në Shqipëri, quajtur Marina e Orikumit.

Marina di Orikum ndodhet në fund të Gjirit të Vlorës, në atë pjesë të tij që quhet Gjiri i Dukatit, vetëm 8 milje detare larg ishullit të Sazanit dhe 7.5 milje nga qytetii Vlorës. Porti ka një kapacitet prej 625 vendesh për varka me një thellësi 3.50 m. Bankinat e tij ofrojnë të gjitha shërbimet e një porti modern gjatë 24 orëve si: shërbim karburanti, asistencë teknike, furnizim me ujë, ruajtje dhe mbrojtje të mjeteve lundruese si në ujë ashtu dhe në tokë. Arkitekturën e tij e plotësojnë dy ndërtesa binjake me ngjyrë të kuqe të cilat janë shumë mbreslënëse. Në to gjen shërbim hotelerie si: apartamente banimi, bar restorant, park sportiv, etj. Peisazhit blu të Jonit i shtohet edhe jeshilja dhe grija e maleve përreth: Lungarës në lindje dhe Rrëzës së Kanalit dhe Karaburunit në Perëndim. Marina e Orikumit mbart në vetvete edhe një histori interesante të krijimit. Ajo bëhet e veçantë kur tregohet nga z.Ali Bitri, administrator i Portit dhe pjesëmarrës aktiv që nga ndërtimi i tij. Intelektuali nga Tragjasi i cili vinte nga një tjetër përvojë pune tregon se: Ishte viti 1995 kur Qeveria Meksi i vuri në dispozicion shoqërisë Italiane Giorgi Alfo Sh.P.K. një sipërfaqe prej 13 ha toke dhe 7 ha det, për ndërtimin e një Porti Turistik për Jahte, me konçension për 99 vjet. Për ndërtimin e tij puna nisi në Maj 1996, por pas 7 muajsh ajo u ndërpre për shkak të ngjarjeve të njohura që ndodhën në vitin 1997 në Vlorë dhe në të gjithë Shqipërinë.
    Ndërkohë puna rinisi përsëri pas dy vjetësh pikërisht në Maj 1998, po nga e njëjta shoqëri ndërtimi, e cila arriti të realizojë këtë vepër kaq të bukur. E vërteta është – vazhdon z.Bitri, se një meritë të veçantë ka z.Giorgi Alfo, i cili arriti të kapërcejë të gjitha vështirësitë e panumërta burokratike që has gjithkundi në Shqipëri, duke e vënë në shfrytëzim këtë Port në vitin 2005.

Kështu çdo verë këtu vijnë me varkat e tyre qindra turistë nga vende të ndryshme të Mesdheut dhe Europës, të cilët vizitojnë Shqipërinë dhe mrekullohen me klimën dhe bukuritë e ralla të vendit tonë. Verën e vitit 2006 në Marinën e Orikumit kanë qarkulluar rreth 80 varka përveç Regatave të garave sportive. Kështu në Qershor 2006 u zhvillua xhirua detare e Italisë e Cino Ricit, velistit më të famshëm Italian, e cila në mesditën e datës 5 Korrik 2006 mbërriti në Marinën e Orikumit, duke u nisur që nga Krotonia, në Gjirin e Tarantos pasi përshkoi rreth 140 milje. Pas dy ditësh qëndrimi regatat Italiane u nisën drejt Brindizit. Aktiviteti që ishte i pari në vendin tonë u transmetua edhe nga televizionet e njohura si: Rai3 dhe Sailing Chanel Sky. Gjithashtu edhe shoqëria Asonautica di Italia, organizoi gjatë verës që shkoi aktivitetin e saj Appuntamento in Adriatico.
    Ndërkohë që Marina Orikum ka patur si miq të saj edhe shumë personazhe VIP të politikës Shqiptare dhe asaj Italiane nga ku mund të përmendim Presidentin Moisiu, ish Kryeministri Nano si dhe një numër personalitetesh të politikës, medias, kulturës, artit. Kështu ky Port me moshë të re po e luan shumë mirë rolin e tij aktiv për të shërbyer si urë lidhëse midis dy brigjeve tona, siç do të jenë çdo vit organizimi i Turit Brindizi-Orikum. E kështu të shpresojmë që edhe kjo veprimtari, që është edhe një sport i bukur të krijojë traditën e tij edhe në vendin tonë, për të vazhduar përsëri ato tradita të vjetra të lundrimit detar.

Pjesë përbërëse të gjirit të Vlorës janë edhe Gadishulli i Karaburunit, Sazani dhe një sërë monumentesh natyrore, historike dhe kulturore.
    Laguna e Nartës e cila komunikon me Adriatikun nëpërmjet 2 kanaleve. Me një sipërfaqe prej 65 km2 ajo është një nga liqenet më të mëdha me origjinë detare të Shqipërisë. Në këtë lagunë është zhvilluar shumë peshkimi ku mund të përmendim lavrakun, qefullin ose kocen e "kënetës" të cilat dallohen për cilësitë e veçanta të tyre. Në këtë habitat jetojnë 50 000 shpendë detarë që i përkasin 40 lloje speciesh.
    E ndërtuar me forma elegante, kisha e Manastirit të Zvërnecit është një ndërtim me vlera të spikatura arkitektonike, në të cilën është punuar me mjeshtëri nga ndërtuesit. Po kaq me kujdes është zgjedhur edhe vendndodhja e saj, ku qetësisë dhe heshtjes i shtohen edhe vlerat e shijimit të panoramës që të rrethon. Gazetari dhe publicisti i famshëm italian Indro MONTANELLI e cilësoi tek ky ishull si "Nje Oaz pylli me ngjyrë të gjelbër të errët që mbyllet me të kaltrën e çelet të Lagunës". Kisha e Shën Mërisë është e tipit "kryq i lire" me kupole. Ky tip e ka marrë stilin arkitektonik nga mauzoleumet romake dhe është ndërtuar larg qëndrave urbane, midis shekujve X-XI. Kjo ide duket interesante sepse çuditerisht brenda kishës ndodhet në dyshemenë e saj edhe nje pllake varri. E shkruar në greqishten bizantine, ajo ka shërbyer si mbulesa e një sarkofagu, i cili i përket ushtarakut bizantin, dukës Argjiro KARANXHAS i cili u dërgua në këtë rajon në shekullin e XI nga Perandori Bizantin Aleks Komneni. Ndërkohë në historinë e këtij manastiri njihen për aktivitenin e tyre edhe klerikë të njohur si: Nifoni, Patriarku i Kostandinopojës në shek. e XV. Gjatë rinisë së tij, pas përfundimit të studimeve ai bëri një jetë asketike në Shqipëri.
    Në misionin e murgut ai u udhëhoq nga kryemurgu Zaharia, ish eremit në malin Athos. Ata jetuan të dy për një kohë pikërisht këtu në manastirin ë Shën Mërisë së Zvërnecit. Më vonë të dy murgjerit shërbyen në Vlorë, e më pas udhëtuan drejt Durrësit dhe Krujës, ku patën kontakte edhe me Skendërbeun, heroin tonë Kombëtar. Historia e këtij manastiri nuk është e lidhur vetem me figura historike të së kaluarës së largët, por edhe asaj të afërt siç është rasti i Marigo Pozios, një nga figurat e Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe Pavarësisë. Marigoja së bashku me dy vajzat qendisi flamurin që u përdor nga Qeveria e parë Shqiptare e Ismail Qemalit.

Pikërisht pas absidës së kësaj kishe midis varreve të tjerë, bie në sy varri i saj i mermerte. Këtu në qetësinë e qiparisave dhe valëve të liqenit prehet përjetësisht nismëtarja e lëvizjes për emancipimin e gruas shqiptare Marigo Pozio.
    Karaburuni është gadishulli më i madh që ndodhet në territorin e Republikës së Shqipërisë. I shtrirë në pjesën jug-perëndimore të vendit ai ndodhet midis gjirit të Vlorës dhe detit Jon. Me një gjatësi prej 16 km, Karaburuni shërben si kufiri ndarës midis deteve Adriatik dhe Jon. Peisazhi i çuditshëm i tij ofron forma nga më të ndryshmet si gjire të vegjël, pllaja, shpella karstike, kepe, plazhe, shpate të zhveshur, maja malesh, etj. Midis tyre mund të përmendim gjiret me emra të çuditshëm si ai i Ariut, Dafinës, Raguzës së parë, Raguzës së dytë, Ravenës, Shën Janit, Shën Vasilit, Gramatës, etj.
    Interesant është edhe relievi i këtij gadishulli, i cili në të gjithë gjerësinë prej 4.5 km paraqitet me format e tij të larmishme, ku ai vjen duke pësuar një ngritje nga skajet drejt qendrës. Maja më e lartë e bllokut malor të Karaburunit është Koreta me lartësi 826 m, ndërsa përballë saj në vijë të drejtë ndodhet maja tjetër, ajo e ILQES me lartësi 7.33 m. Midis tyre ndodhet pllaja karstike e Ravenës me lartësi që varion nga 200-300 m, në lartësinë e të cilës Sovietikët mendonin të instalonin raketat e tyre në fund të viteve 1950.
    Përhapja e dukurisë gjeografike të Karstit ka bërë që në gadishull të zhvillohet dukuria e shpellave. Janë gjithsej 20 të tilla përgjatë gjithë vijës bregdetare, nga ku mund të përmendim shpellën e Haxhi Aliut, atë të Dukë Gjonit, shpellën pranë gjirit të Ariut, Shpellën e pëllumbave, shpellën e Inglizit, shpellën e thellë, etj.
    Por shpella më e madhe dhe më interesante e Karaburunit është ajo e Haxhi Aliut, "si një nga më të mëdhatë dhë më të bukurat në Shqipëri". Ndërsa e shikon me vëmendje të duket se Shpella ka formën e një kulmi me lartësi 60 m dhe thellësi 40 m. Brenda saj ndodhet një liqen i vogël, ndërsa në mure vihen re shenja bloze, dhe gjurmë zjarresh, fakt që dëshmon se shpella ka qenë e banuar në të kaluarën.

Sipas legjendës Shpella dikur është përdorur nga Pirati i njohur i shekullit të XVII-të Haxhi Aliu. Këtu ai strehohej së bashku me anijen dhe njerëzit e tij. Pozicioni i favorshëm i Karaburunit i ofronte këtij pirati mundësinë e plaçkitjes së anijeve napolitane, turke, veneciane, dalmate, etj.
    Dihet që ai u vra nga venecianët në rrethana të panjohura dhe u varros së bashku me të birin në Sazan. Në Karaburun midis gjireve të shumtë të bie në sy edhe ai i Gramatës. Gramata në greqisht do të thotë "shkrime". Me këtë emër njihet një gji i vogël qe ndodhet në pjesën perëndimore të Karaburunit. Qysh në periudhën antike këtu ankoroheshin anijet, të cilat dallgët e detit mund ti përplasnin në shkëmbinjtë e gadishullit. Të strehuar këtu udhëtarë të shumtë nga vende të ndryshme të mesdheut kanë lënë shënimet e tyre, të cilat i kanë gdhendur në faqet e shkëmbinjve, që janë përdorur edhe si gurore. Mbishkrimet e para ju kushtohen perëndive dhe janë lutje për shpëtim nga furtuna në det. Ndërsa në të tjera mbishkrime përmendet figura historike të Romës si Pompeu, Dolabela, Mark Antoni ose Konsulli Tit Statit Tauri. Ndërkohë që interes paraqet edhe një mbishkrim i vitit 1396, i cili tregon se gjatë udhëtimit të tij për në Francë, u strehua nga stuhia në Gramata, vetë Perandori Bizantin Joani i V-të Paleolog.
    Në pjesën juglindore të Karaburunit gjenden rrënojat e Orikut antik, i cili lindi si koloni e themeluar nga grekët e Eubesë në shekullin e VI. p.k, megjithëse një nga autorët antikë Plini thotë se: Oriku u themelua nga Kolkasit. I ndërtuar sipas stilit të Polisit grek ai mbështetej në shpinë të kodrës së Paleokastrës me pamje të gjerë nga gjiri i Vlorës.
    Gërmimet arkeologjike që janë kryer dikur kanë nxjerrë në dritë midis objekteve të tjera edhe një teatër të vogël, që merrte në shkallaret e tij rreth 500 spektator, disa shtëpi banimi, dhe objekte të tjera.
    Një nga burimet e mira të të ardhurave të Orikut vinte nga shfrytëzimi i guroreve të shumta të Karaburunit, që kontrolloheshin prej tij. Për rëndësinë e tij strategjike ky qytet do të jetë dëshmitar i shumë operacioneve ushtarake të zhvillua në kohë të ndryshme nga epirotët, ilirët, maqedonasit dhe romakët. Për tu përmendur ndër to janë luftimet midis Çezarit dhe Pompeut gjatë luftës civile të vitit 48 p.k. Kështu në 5 Janar të vitit 48 p.k., Çezari u nis me shtatë legjione nga Brindizi dhe zbarkoi pa probleme ne Palasë, duke ju shmangur flotës së Pompeut, e cila ishte më superiore në numër dhe kontrollonte bregdetin e Adriatikut nga Lisi në Karaburun. Pasi ju ngjit Llogarasë ku dhe sot ruhet emri Qafa e Çezarit, strategu Romak pushtoi pa luftë Orikun dhe ju drejtua Apolonisë.
    Interesante është për lexuesin përshkrimi që i bën Çezari dorëzimit të qytetit në librin e tij BELLI CIVILIS (lufta civile), "Çezari zbarkoi ushtrinë po atë ditë u nis për në Orik. Këtu Luc Torkuati që sundonte në qytet me urdhër të Pompeut mbylli portat dhe u mat të mbronte qytetin, duke urdhëruar grekët të hipnin në mure, dhe të rroknin armët. (B.CIVILIS. Juli Caesaris Lib III. 11.4.) Por këta nuk donin të luftonin kundër Romës, bile qytetarët përpiqeshin të pranonin Çezarin vullnetarisht. Atëherë Torkuati çeli portat dhe u dorëzua tek Çezari me gjithë qytet".
    Gjiri i dikurshëm i Orikut antik u shndërrua gjatë shekujve nga veprimtaria akumuluese e valëve detare në lagunë, e cila sot ka një sipërfaqe prej 35 000 ha. E ndodhur në pjesën jugore të gjirit të Vlorës, fare pranë qytetit të Orikumit, ajo është Park Kombëtar, ku zhvillohet turizmi arkeologjik, kulturor por edhe ai I gjahut, sepse në ujërat e kësaj Lagune rriten një sërë speciesh detare si: trofta, qefulli, ngjala, midhja, aragosta, si dhe shumë shpendë gjuetie.
    Në fund të gadishullit të Karaburunit aty ku ai bashkohet me luginën e Dukatit ndodhet një objekt kulti i harruar prej kohësh. Ndërtuar mbi majën e një kodrine Kisha e Marmiroit duket si një "Kryqëzor" i vogël, dhe i gatshëm për të dalë në det. E vetmuar dhe e braktisur ajo dëshmon traditën e dikurshme kristiane të këtij rajoni. Kisha është e tipit kryq i lire me kupolë. Mendohet se ky objekt I përkiste dikur një manastiri të vogël dhe është e ndërtuar me gurë të papunuar të marrë nga shtrati i përroit aty pranë. Për portat dhe fasadat janë përdorur gurë të punuar të cilët janë marrë nga rrënojat e Orikut antik.
    Ashtu si i gjithë bregdeti i Shqipërisë edhe bregdeti i Vlorës ka qenë i pasur në të kaluarën me objekte të tilla kulti. Këtë gjë e favorizonin edhe mundësitë që ofronte natyra me vendet e veçuara, të mbrojtura dhe të përshtatshme për këtë lloj besimi.
    Është e çuditshme se kjo kishë sot nuk e ruan emrin e saj të dikurshëm dhe se vendasit e quanin kisha e Marmiroit ndosha kisha e bardhë "Lat. Marmoreus, "I bardhë si mermeri", për shkak të ngjyrës së gurëve me të cilët është ndërtuar ajo. Rrethanat e origjinës së këtij emri janë të paqart. Megjithatë duhet të themi se përreth këtij objekti ndeshim midis toponimeve të ndryshme edhe ato të grupit Latin si: Dukat (vend i lartë), dhe Orikum, Ravene, etj.
    Fare pranë Karaburunit ndodhet ishulli i Sazanit i cili njihet nga të gjithë si Ishulli më i madh i Shqipërisë, me një sipërfaqe prej 5.5 km2. I ndodhur në hyrje të gjirit të Vlorës, ai ndahet nga Karaburuni prej ngushticës së Mezokanalit, 4.8 km e gjerë, ndërsa largësia e tij nga kepi i triporteve është 8.5 km. I përbërë nga dy kodra pothuaj "binjake", Sazani ka një lartësi maksimale prej 342 m, dhe një vije bregdetare të lartë e shkëmbore, të pasur me gjire të vegjël. Më i rëndësishmi ndër ta është ai i Shën Kollit ku ndodhet edhe Porti ushtarak i Sazanit. Ky ishull ka edhe një të kaluar historike interesante dhe të pasur me dëshmi e ngjarje nga më të ndryshmet.
    Gjatë viteve të komunizmit këtu u ngrit një bazë ushtarake detare dhe një qytezë ku banonin familjet e ushtarakëve. Ato u larguan nga ishulli kur baza u braktis në vitin 1992 nga ushtria shqiptare, e cila më vonë e vuri Sazanin në dispozicion të NATOS.
    Interesant është fakti se Sazani ka qenë dikur i banuar. Kjo dëshmohet gjatë zbarkimit të flotës veneciane në Vlorë në 26 Shtator 1690, ku banorët e fshatit Shën Koll të Sazanit të quajtur kryezinj u bashkuan me venedikasit.
    Fakt interesant është se në Sazan rritet edhe një lloj Lepuri i egër, i cili u soll në ishull midis dy luftërave Botërore nga Italianët. I quajtur Lepuri i gropave, kjo specie ka ardhur duke u shtuar dhe është bërë i çmueshëm për mishin dhe gëzofin e tij